www.forumikosovar1.albanianforum.net
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.


Aty Ku Gjindet Forumi Kosovar
 
ForumLatest imagesRegjistrohuidentifikimi

 

 Historia e Kosoves

Shko poshtë 
AutoriMesazh
???
Vizitor




Historia e Kosoves Empty
MesazhTitulli: Historia e Kosoves   Historia e Kosoves Icon_minitimeSun Jan 03, 2010 12:56 am

Paleoliti dhe Neoliti
Trualli i banuar sot nga shqiptarët, ku bën pjesë edhe territori i sotëm i Kosovës, filloi të popullohej shumë herët, që në epokën e paleolitit (gurit të vjtër), mbi 100 000 vjet më parë. Janë të njohura një numër i madh vendbanimesh të tilla në territorin e sotëm të Kosovës, siç janë shpellat e Radacit dhe Karamakazit, si dhe shpella të tjera më të vogla.

Popullimi i territorit të sotëm të Kosovës u rrit shumë në periudhën neolitike. Njerëzit filluan të braktisin shpellat dhe të përqendroheshin në vende të hapura. Banorët neolitike pëlqenin më shumë të ndërtonin kasollet e tyre në fusha dhe në tarraca lumore. Banorët e hershëm, nga jeta endacake e epokës paleolitike, kaluan në vendbnime shpeshherë të qëndrueshme, me ekonomi kryesisht bujqësore.




Ilirët dhe fisi dardan
Ilirët, si trashëgimtarë të pellazgëve, janë ndër banorët më të lashtë të Gadishulit Ballkanik. Ata janë autoktonë. Kulturën, gjuhën dhe tiparet antropogjike ilirët i formuan në vendin e tyre, në pjesën perëndimore të Gadishullit të Ballkanit, aty ku shkrimtarët antikë i përmendin në veprat e tyre. Trevat e shtrirjes së popullsisë ilire janë mjaftë të gjera; ato përfshijnë të gjithë pjesën perëndimore të Gadishullit, në veri, e diri te gjiri i Ambrakisë (Prevezë), në jug, kurse në lindje deri te tokat përreth liqenit Lyhind (liqeni i Ohrit). Grupe të veçanta ilirësh u vendosën edhe në Italinë e Jugut. Këto janë fiset mesape dhe japige. Emri ietnik ILIR shfaqet në veprat antike që në shek. V.p.K., kurse emrat e disa fiseve ilire fillojnë e përmendës që në shek.XII p.K. nga Homeri. Por koha e formimit të etnosit ilir është shumë e lashtë. Fillimet e origjinës ilire janë që në mesin e mijëvjeçarit të dytë p.K., që nga periudha e bronzit të mesëm, kur fillojnë të formohen tiparet etnike ilire. Në epokën e hekurit (mijëvjeçari i fundit p.K.) ilirët u formuan plotësisht, duke trashëguar nga epokat më të hershme eneolitike dhe të bronzit tipare kulturore gjuhësore e antropologjike etnike. Teoria e vjetër që i bën ilirët të ardhur nga Evropa Qendrore, në shekujt XII-XI p.K., është rrëzuar nga studimet e kryera pas Luftës së Dytë Botërore. Vetë fakti që varrimet me urna, karakteristike për popujt e Evropër Qendrore, nuk janë tipike për trevat e shtrirjes së ilirëve, por ndeshen vetëm në zona të kufizuara, të rralla, dëshmon kundër teorisë së ardhjes së ilirëve në Ballkan nga veriu. Gjurmët e kulturave të Evropës Qendrore, që ndeshen në Iliri, janë rezultat i kontakteve kulturore, tregtare e të lëvizjes së artizanëve të punimit të metaleve. Dardanët ishin fisi më i madh Ilir që u vu në krye të Mbretërisë Dardane, në ballkanin qendror, kryesisht në Kosovë. Dy fise të tjera dardane të njohura ishin thunatët dhe galabrët. Qyteti më i rëndësishëm i dardanëve ka qenë Damastioni, i njohur si kryeqendra e nxjerjes së metaleve. Dardanët përmenden si luftëtarë të fortë, xehtarë shumë të mirë, blegtorë dhe tregtarë të njohur.



Mbretëria Dardane
Artikull : Emërtimi Dardania
Artikull : Etimologjia e emërvendit Demastion
Artikull : Mbretëria e Dardanisë




Krijimi i Mbretërisë Dardane
Në shek.IV p.K. u krijua Mbretëria Dardane, e cila shtrihej në territorin e Kosovës së sotme e të krahinave të tjera përreth. Kufijtë e saj shkonin në veri deri t qyteti i Nishit, kurse në jug deri në Kukës dhe në rrjedhën e sipërme të Vardarit. Mbreti i parë dardan që njohim, është Longari. Pas tij erdhën mbretërit Bato dhe Monun. Rolin kryesor në mbretëri e luajti fisi dardanëve. Në këtë mbretëri bënin pjesë edhe fise të tjera, ndër të cilat njohin galabrët dhe thunatët. Dardania ishte e njohur në botën e lashtë për tokat e saj të gjera e pjellore, për punimin e arit dhe për përpunimin e produkteve blegtore. i Njohur ka qenë veçanërisht djathi dardan. Shoqëria ilire e dardanëve mbështetej në sistemin sklavvopronar. Shkrimtarët antikë tregojnë se dardanët kishin kaq shumë skllevër, sa vetëm njëri prej tyre mund të kishte deri në 1000 veta e ndoshta edhe më shumë. Secili nga këta skllevër punonte tokën. Në kohë lufte sklleverit merrnin pjesë në ushtri, duke pasur si prijës pronarin e tyre. Mbretëria Dardane kishte krijuar një ushtri të fuqishme dhe të organizuar shumë mirë. Veçori e luftëtarëve dardanë ishte se ata hidheshin të gjtihë së bashku në sulm dhe po kështu së bashku tërhiqëshin me radhë të shtrënguara, duke mos lënë në sheshin e luftës as të plgosurit e tyre. Forca e kësaj ushtrie u tregua sidomos në shek.III p.K., kur dardanët qenë në gjendje të mbroheshin nga dynjet e fuqishme të keltëve, të cilët zbritën nga Evropa Qendrore. Madje dardanët treguan gatishmërinë të ndihmonin edhe Maqedoninë, që të përballonte këto sulme. Siç dëshmojnë shkrimtarët e lashtë, historia e Mbretërisë Dardane është mbushur me luftëra të pandërprera kundër Maqedonisë dhe më vonë kundër romakëve. Me Mbretërinë Ardiane, dardanët mbajtën marrëdhënie miqësore, por patën edhe konflikte, të shtyrë nga aristokracia skllavpopronare, që luftonte për interesa të ngushta, dhe kjo pati pasoja shumë të rënda ekonomike e politike si për ardianët, ashtu edhe për dardanët. Në mesin e shek. III p.K., kur sundonte mbreti Longar, ushtritë dardane u përpoqën të shtrinin kufijtë e tyre deri në brigjet e Adriatikut, duke shfrytëzuar faktin që ushtritë ardiane të mbretëreshës Teuta ndodheshin në Epir. Ky operacioni ushtarak fillimisht pati sukses, por me kthimin e ushtrive ardiane nga Epiri, dardanët u detyruan të lëshonin tokat e pushtuara e të ktheheshin në kifijtë e mëparshëm. Pas kësaj Longari i drejtoi uishtritë e tij në jug dhe pushtoi tokat e Mbretërisë Paione, që ndodheshin në veri të kufijv të Maqedonisë.



Luftërat e dardanëve kundër maqedonëve
Rreth vitit 21 p.K. luftimet ndërmjet dardanëve dhe maqedonasve morën përmasa të gjera, aq sa mbeti i vrarë në betejë edh mbreti maqedonas Demetri II. Pas vdekjes së tij, dardanët i shpeshtuan sulmet në Maqedoni, derisa Antigon Dozoni i detyroi të largoheshin nga mbretëria e tij. Kur mbreti maqedonas Filipi V ndodhej në luftë me grekët, në vitin 219 p.K., dardanët vërshuan përsëri kundër Maqedonisë. Ushtritë maqedonase u detyruan të ktheheshin në trojet e tyre dhe për të përforcuar kufijtë veriorë pushtuan qytetin më të madh të Paionisë, Bylazorën (Velesi). Në vitin 216 p.K. ushtritë dardane ndërmorën një operacion të fuqishëm ushtarak kundër Maqedonisë, duke zënë 20 000 robër. Ata zbritën deri në fushën e Argos, në brigjet e lumit Haliakmon. Kjo fushatë u ndoq nga kundërsulme të reja që bëri Filipi V kundër dardanëve, duke u shkaktuar atyre humbje të rënda në ushtri. Në vitin 200 p.K. mbretërit dardanë Longar e Bato, së bashku me ardianët e mbretër të tjerë, lidhën aleancë me romakët kundër Maqedonisë. Kjo i shtyu dardanët të ndërmerrnin sulme të rrreja në jug të kufirit të tyre. Dardanët nuk i pushuan luftërat për të çliruar tokat që ndodheshin në jug të mbretërisë së tyre, toka që dikur i përkisnin Mbretërisë Paione dhe që i mbante të pushtuara Maqedonia, duk u mbyllur kështu atyre rrugët tregtare që i lidhnin me krahinat jugore të Ballkanit. Duke mos qenë në gjendje të ndërprisnin sulmet dardane, maqedonasit bënë marrëveshje me fiset klte të bastarnëve dhe të vendoseshin vetë në tokat e tyre. Kjo gjë nuk u arrit. Dardanët i thyen ushtritë klte dhe çliruan tokat që ata kishin pushtuar. Edhe pasi u shkatërruan Mbretëria Ardiane dhe ajo e Maqedonisë. Dardania vazhdoi të ishte ende e lirë, ndonëse nga aleanca me romakët dardanët nuk arritën përfitimet e dëshiruara. Romakët nuk u dhanë tokat e Paionisë, por vetëm të drejtën për të tregtuar kripë.



Luftërat e dardanëve kundër romakëve
Luftërat e dardanëve kundër romakëve për shumë vjet me ashpërsi shumë të madhe, në rrethanat kur senati romak synonte të shtrinte pushtimet e tij në të gjitha tokat ilire dhe të arrinte deri në Danud. Edhe pas shqetësimeve që u shkaktoi rifillimi i sulmeve kelte, dardanët i vazhduan inkursionet e tyre kundër Maqedonisë, cila ishte kthyer tashmë në provincë romake. Dardania u bë pengesë serioze për shumë vjet me radhë për ushtritë pushtuese romake, të cilat nuk hiqnin dorë nga synimet e tyre. Megjithkëtë në vitin 97 p.K. romakët arritën të vinin nën varësi të përkohshme dardanët dhe fise të tjera fqinje, të cilat më vonë i ripërtrinë forcat dhe u shkaktuan humbje të rënda romakëve. Aq të vështira ishin këto luftëra për romakët, sa kur konsulli romak Kurioni përgaditej me 5 legjione të nisej në luftë kundër Dardanisë, njëri nga këto legjione ngriti krye dhe nuk pranoi t'i bindej komandantit të vet të shkonte në këtë luftë që ushtarët e quanin të rrezikshme. Romakët i krahasonin dardanët me kuçedrën e Lernës, e cila, edhe kur ia prisnin të gjitha kokat që kishte, i ringjallte përsëri. Me këtë krahasim ata shprehnin qëndrueshmërinë e madhe të dardanëve ndaj kundërshtarit. Pas luftërave të gjata me romakët, nga fundi i shek.I p.K dardanët e humbën pavarësinë e tyre dhe hynë nën varësinë e plotë të Romës.




Kosova pas shkatërrimit të Perandorisë Perëndimore Romake
Shqiptarët e hershëm të mesjetës dolën nga kaosi i shkatërrimit te Perandorisë Perëndimore Romake si pasardhës të fiseve të dardanëve dhe feonëve, që jetuan ne Ilirinë e Sipërme dhe Trakë, deri në kohët e pushtimeve masive të gotëve gjerman, që u zhvilluan në trojet shqiptare gjatë shekullit të katërt të erës sonë. Në fund të shekullit të gjashte, trako dhe ilirët u çvendosën nga dyndjet e avarëve,antëve dhe fiseve bullgare turko - ugrike të sllavizuarva. Vendi i fundit ku ilirët gjetën strehë gjatë këtyre dyndjesh barbare ishin malet e Epirit, Thesalisë, Maqedonisë Perëndimore dhe Dalmacisë. Në 535, ushtritë e Perandorit Bizantin Justinian pushtuan Ilirinë dhe Moesinë dhe dëbuan gotët, lombardët dhe gepidët nga trojet ilire. Por 100 vite më vonë, perandor Herakli i II-të ftoi fiset gjysëm të egra të sorbianëve (shkije) dhe khrobates? (hrvati, kroatët) nga Kiskarpathia, të cilët të udhëhequr nga prijësit e tyre pushtuan territoret e Silezisë së sotme dhe të Polonisë Jugore, vende që ishin braktisur nga vandalët gjermanë dhe ostrogotët. Perandori bizantin i vendosi sllavët edhe në Ballkanin Perëndimor si mbrojtës të Konstandinopojës nga avarët. Pas kesaj, shkijet, kroatët dhe fise te tjera sllave, shumë shpejt dyndën Moesinë, Trakën, Maqedoninë dhe Greqinë, ndërsa sulmuan edhe Kretën. Megjithatë bizantinët arritën t’i nënshtrojnë ata.



Kosova nën sundimin bizantin
Pas ndarjes së Perandorisë Romake në dy pjesë, më 395, trevat iliro-shqiptare hynë në përbërje të Perandorisë Bizantine, siç quhet zakonisht pas kësaj date Perandoria Romake e Lindjes sipas emrit antik të kryeqytetit të saj, Bizant, që për nder të Konstandinit të Madh u quajt Konstandinopojë. Ashtu siç i kishin dhënë Perandorisë Romake një numër perandorësh e gjeneralësh të shquar, po ashtu gjatë periudhës së hershme bizantine (shek. V-IX), trevat iliro-shqiptare i dhanë Perandorisë Bizantine disa perandorë, ndër të cilët shquhen në mënyrë të veçantë Anastasi I nga Durrësi (491-518) dhe Justiniani I nga Taurisium i Shkupit (527-565).

Perandorët bizantinë i kushtuan vëmendje të veçantë mbrojtjes strategjike të trevave iliro-shqiptare. Perandori Justiniani, ndërtoi nga e para apo rimëkëmbi 168 kështjella në katër provincat ilire: të Dardanisë, Prevalit dhe të dy Epirëve. Nga qytete e provincës së Dardanisë, Prizreni dhe Shkupi kishin rëndësi të madhe për pushtetin bizantin. Mbrojtja e tyre dhe e territorit në juridiksionin e tyre, u ishte besuar forcave e komandantëve vendas. Trupa ushtarake iliro-shqiptare shërbenin gjithashtu në vise të tjera të Perandorisë, sa në Lindje aq edhe në Perëndim. Në kohën e perandorit Justinian, ushtarë iliro-shqiptarë shërbenin në ushtrinë bizantine me qëndrim në Itali.

Gjatë sundimit bizantin, filloi edhe përhapja në masë e krishterizmit në provincën e Dardanisë. Persekutimet e mëdha kundër të krishterëve regjistruan edhe në provincën dardane martirë të shumtë, kulti i të cilëve u ruajt në shekuj. Nga martirët më të shquar ishin edhe Lauri dhe Flori nga Dardania. Pavarësisht nga përpjekjet për mbytjen e fesë së re, krishterimi u afirmua në Dardani në mënyrë përfundimtare. Pas persekutimeve të mëdha të shek. IV, burimet historike flasin për një strukturë kishtare mjaft të konsoliduar. Në Justiana Prima, qytet dardan, ndodhej kisha metropolitane e Dardanisë, ku ishte i vendosur kryepeshkopi. Peshkopata e Shkupit ishte nën varësinë e Kishës Metropolitane të Shkodrës.

Nën sundimin e Dioklecianit e më tej të Konstandinit, Perandoria Romake iu përshtat një organizimi të ri administrativ. Njësia më e madhe administrative u bë prefektura, që përmbante disa dioqeza, të cilat nga ana e tyre ishin të ndara në një numër edhe më të madh provincash. Prefektura e Ilirikut (praefectura praetorio per Illyricum), përfshinte dioqezat e Dakisë e të Maqedonisë. Në dioqezën e Maqedonisë, bënin pjesë pronvincat e Prevalit, Dardanisë, Epirit të Vjetër dhe Epirit të Ri, që përfaqësonin hapësirën gjeografike të banuar nga pasardhësit e ilirëve, shqiptarët, përgjatë gjithë mesjetës e deri në kohët e reja. Funksionari më i lartë i prefekturës së Ilirikut, prefekti i pretorit për Ilirikun, e kishte selinë e vet në Selanik.

Në shekujt IV-VI, filloi dyndja e popujve. Megjithëse nuk përkonin me drejtimin kryesor të dyndjes së popujve, trevat shqiptare nuk mbetën tërësisht jashtë tyre. Inkursionet e gotëve, gotëve të lindjes (ostrogotëve) dhe atyre të perëndimit (vizigotëve) aty nga fundi i shek. IV prekën edhe trevat iliro-shqiptare.

Afërsisht, në mesin e shek. V Gadishullin Ballkanik e sulmuan hunët të komanduar nga Atila, duke shfrytëzuar rastin që ushtria bizantine ishte e zënë në luftë me vandalët. Brenda pak vjetëve ai pushtoi e grabiti shumë qytete të trevave iliro-shqiptare, në mënyrë të veçantë, Dardaninë. Burimet bashkëkohëse e përshkruajnë Dardaninë si një vend të shkretuar. Me vdekjen e Atilës federata hune u prish dhe kështu pushuan sulmet e tyre kundër Perandorisë Bizantine.

Me qëllim që të frenonte zbritjet e “barbarëve” nga kufijtë veriorë, perandori Justinian me origjinë nga Taurisium i Dardanisë, i kushtoi vëmendje ngritjes së një sistemi fortifikatash në disa breza, që fillonte nga vija kufitare e Danubit, në veri, dhe zhvillohej valë-valë duke zbritur në drejtim të jugut. Vetëm në atdheun e tij, në Dardani, perandori bizantin meremetoi 61 kështjella dhe ndërtoi nga themelet 8 kështjella të tjera. Një ndër këto kështjella, e quajtur për nder të tij Justiniana Prima (Shkupi), u ngrit në vendlindjen e perandorit, Taurisium.

Ndryshe nga popujt e tjerë, dyndjet e sllavëve në Ballkan u shoqëruan me një dukuri të re, atë të ngulimeve. Në vendet e shkelura prej tyre, sllavët u ngulën duke formuar të ashtuquajturat "Sklavini" (vende të sllavëve). Në fund të shek.VI e fillim të shek. VII, Sklavini të tilla ishin formuar në Maqedoni, Traki, Thesali, Beoti e, në një numër mjaft të madh, në Peloponez.

Në fillim të shek.VII, perandor Herakli lejoi vendosjen e dy fiseve të mëdha sllave, të kroatëve dhe të shkijeve (serbëve). Këta të fundit zunë vendet e përshkuara nga lumenjtë Lim e Drina e sipërme bashkë me Pivën e Tarën, luginën e Ibrit dhe rrjedhën e sipërme të Moravës perëndimore. Në jug dhe në perëndim shkijet kufizoheshin me diokletë si dhe me trebinjët e zaklumët sllavë. Bërthamën e vendeve ku u vendosën shkijet e përbënte krahina e Rashës, në veri të Novi-Pazarit të sotëm. Në jug arrinin deri në burimet e lumit Lim. Gjithsesi, burimet historike të mesjetës së hershme, ndërsa flasin për krijimin e zonave kompakte të sllavizuara (sklavini) në viset fqinje të Dalmacisë, Rashës, Maqedonisë, Peloponezit etj., nuk përmendin ekzistencën e të tillave në katër provincat e Ilirikut Perëndimor. Mbijetesa, historikisht e dokumentuar, në këto treva të qyteteve antike, e qendrave dhe e strukturave kishtare, si dhe prania ndonëse e dobësuar e pushtetit bizantin flasin përgjithësisht për ekzistencën këtu të kushteve pak a shumë normale të jetës në shekujt e errët të mesjetës.

Që në shek. VII-VIII situata etnike në Ballkan u stabilizua dhe nuk përmenden më dyndje popujsh. Kjo gjendje etnike e shekujve të hershëm të mesjetës, në atë që u konstitua si atdheu mesjetar i shqiptarëve (Albania-Arbëria), mbeti në thelb e pandryshuar edhe në shekujt e mëvonshëm. Karvanet e tregtarëve që në shek. XIII-XV niseshin nga Raguza (Dubrovniku) e nëpërmjet Breskovës e Rudnikut (Sanxhak) mbërrinin në Trepçë e në Novobërdë, kalonin nëpër vende të banuara nga shqiptarë e ku flitej gjuha shqipe (lingua albanesca).

Në vitin 1054, kur u bë ndarja e kishave, trojet shqiptare që përfshinin ish provincën e Dardanisë, në pjesë të madhe kaluan në kuadër të Kishës Katolike. Katolicizmi mbeti feja dominuese për disa shekuj.



Shkëputja nga Bizanti dhe ekspansioni sllav
Derisa ushtria dhe administrata bizantine mbusheshin gjithnjë e më shumë me elementin vendas, kurse, nga ana tjetër, zgjerohej vazhdimisht numri i zonave autonome, ku pushtetin real e ushtronin krerët dhe zotërit e vendit, u krijuan kushtet per ndarjen nga Bizanti. Por tokat shqiptare të Dardanisë, ishin shumë tërheqëse për shtetin e fuqishëm serb, që u krijua në fillim të shek. XIII. Dardania ra tërësisht nën sundimin serb, në kohën e sundimit të mbretit serb, Stefan Dushanit (1331-1355). Më pas i njëjti fat ishte edhe i të gjitha tokave shqiptare. Në një relacion të vitit 1332 të kryepeshkopit frëng të Tivarit, Guljelmi i Adës, për sundimin sllav në trojet shqiptare shkruhet: "Arbrit janë të shtypur keq nga zgjedha e padurueshme dhe tepër e rëndë e sunduesve të urryer sllavë..... Klerikët poshtërohen e persekutohen, fisnikët shpronësohen e burgosen".

Duke filluar nga shek. XIII, mbretërit serbë nga dinastia Nemanja punuan për ta zhvendosur epiqendrën e shtetit të tyre nga Rasha në drejtim të viseve të pasura të Kosovës e të Gentës. Qytetet e këtyre të fundit, Shkodra, Prizreni, Prishtina e Shkupi, u bënë në kohë të ndryshme seli të oborrit serb. Një tjetër qendër e rëndësishme e Kosovës, Peja, prej mesit të shek. XIII u kthye në qendër të kishës autoqefale serbe. Zhvendosja e qendrave të gravitetit të shtetit serb drejt jugut u shoqërua me dukuri të tjera të natyrës shoqërore e etnike, të cilat qenë më të dukshme në Kosovë. Një pjesë e aristokracisë vendase u shpronësua e u zëvendësua nga aristokracia serbe e tokës, laike e sidomos fetare. Duke filluar nga gjysma e dytë e shek. XIII serbizohen kishat e manastiret e Kosovës dhe ndërtohen shumë syresh, të cilat u pajisën me fonde të mëdha tokësore. Në kohën e sundimit të Stefan Dushanit, manastiret, tashmë të serbizuara, të Deçanit, Greçanicës, Banjskës, Kryeëngjëllit, manastiri i Hilandarit në Malin Athos e krahas tyre peshkopatat e Pejës, Prizrenit etj., zotëronin një pjesë të konsiderueshme të fshatrave të Kosovës e të viseve të tjera veriore shqiptare.

Shtrirja e shtetit serb në drejtim të Kosovës u shoqërua edhe me ardhjen këtu të kolonëve të rinj nga territoret e Serbisë së mirëfilltë (Rashës). Të porsaardhurit populluan fshatrat e braktisura (selishtë) ose u vendosën në pronat e përvetësuara rishtazi nga feudalët apo kishat e manastiret serbe. Krahas kolonizimit, mbretërit serbë, e në veçanti car Stefan Dushani, zbatuan një politikë që synonte asimilimin e popullsive shqiptare të viseve të pushtuara. Si më të efektshme në këtë drejtim u zgjodhën represioni dhe persekutimet në lëmin fetar. Kapituj të tërë të kodit të Stefan Dushanit dhe urdhëresa të veçanta të carit serb parashikonin masa të rrepta, si sekuestrim të pasurisë, damkosje, dëbim e deri dënim me vdekje për të krishterët katolikë e ortodoksë, që nuk pranonin të konvertoheshin në ortodoksinë serbe e nuk ripagëzoheshin duke marrë emra sllavë. Masa të tilla goditnin në radhë të parë popullsitë shqiptare të besimit katolik. Ato përcaktuan përhapjen e fenomenit të sllavizimit fetar-onomastik në shtresa të caktuara të popullsisë shqiptare. Kjo është arsyeja që midis shek. XIII-XIV, krahas shqiptarëve gjithsesi të shumtë, që mbanin emra, si Gjin, Dedë, Gjon, Progon, Llesh, gjenden në këto treva edhe shqiptarë të tjerë, të cilësuar nga vetë dokumentacioni si të tillë, që mbanin emra sllavë ose që i ishin përshtatur onomastikës sllave. Emra, si Pribisllav, Radomir, Vladislav apo mbiemrat Vogliç, Kuqeviç, Flokovci, Gjinovci etj., dëshmojnë se në këtë kohë (gjysma e parë e shek. XIV) një pjesë e popullsisë shqiptare të trevave veriore, nën presionin e dhunshëm të pushtuesve serbë, gjendej në një fazë kalimtare të një asimilimi kulturor e fetar. Në mjaft treva ky proces asimilimi u ndërpre në kushtet e reja që u krijuan me shkatërrimin e shtetit serb e mbërritjen e turqve osmanë (gjysma e dytë e shek. XIV). Pikërisht në këtë kohë vihet re aty një kthim i popullsisë në onomastikën karakteristike shqiptare. Megjithatë, në një pjesë të territoreve në fjalë, sidomos në zona të veçanta të Gentës (Zetës), procesi i sllavizimit vazhdoi edhe paskëtaj duke çuar gradualisht në asimilimin kulturor dhe etnik të bashkësive të tjera shqiptare.

Pushtimi serb i Stefan Dushanit, i ngarkuar me pasoja të rënda ekonomike, shoqërore e etnike, ndeshi në qëndresën e ashpër të popullsisë shqiptare. Që në vitin e parë të sundimit të Stefan Dushanit, në trevat veriperëndimore shpërtheu një kryengritje antiserbe, në krye të së cilës u vu bujari Dhimitër Suma (1332). Zgjerimi i saj e nxiti kryepeshkopin e Tivarit, Guljelmin e Adës, të projektonte organizimin e një kryqëzate të Perëndimit kundër serbëve, e cila do të mbështetej në kontributin vendimtar të kryengritësve shqiptarë të zonave të veriut. Në këtë mënyrë që nga Genta e Kosova deri poshtë në Epir lindën ose u ringjallën formacione politike të dyerve më të shquara shqiptare, Balshët, Gropajt, Topiajt, Matrëngët, Muzakët, Zenebishët, Bua-Shpatat etj.



Përpjekjet e Balshajve për një shtet të bashkuar shqiptar
Familja Balshaj ishte me origjinë nga qyteza e Balëz, në afërsi të qytetit të Shkodrës. Edhe kjo familje ka qenë e shpronësuar dhe keqtrajtuar gjatë sundimit sllav. Gjithsesi, pas mesit të shek. XIV, tre vëllezërit Balsha, Strazimiri, Gjergji I dhe Balsha II, e vunë këtë familje në ballë të politikës dhe të proceseve shtetformuese shqiptare, duke shfrytëzuar edhe momentin e përshtatshëm që pasoi vdekjen e car Stefan Dushanit. Me shthurjen e Perandorisë së tij, vëllezërit Balshaj iu vunë punës për ta kthyer Gentën (Zetën), ashtu si Dioklenë e dikurshme, në një shtet të pavarur nga mbretëria serbe. Për këtë qëllim, ata prenë çdo lidhje me oborrin e carit të ri serb, Stefan Uroshit, i cili i konsideronte Balshajt “rebelë” dhe i trajtonte si kundërshtarë të papajtueshëm të tij. Me zotërimin e Ulqinit, të Tivarit e të vetë Shkodrës dhe të skelës së Shirgjit, si dhe me shtënien në dorë përfundimisht të Budvës më 1367, Balshajt ishin në gjendje të kontrollonin lëvizjet tregtare nëpër Adriatik. Në duart e tyre ndodheshin rrugët tregtare që zgjateshin prej bregdetit drejt viseve të brendshme. Më e rëndësishmja prej tyre ishte rruga që fillonte në pikën doganore të Dejës, ku bashkoheshin rrugët që vinin nga portet e Shëngjinit, të Ulqinit e të Tivarit, dhe vazhdonte nëpër luginën e Drinit për të arritur në Rrafshin e Dukagjinit, nga ku degëzohej në qendërbanimet kryesore të Kosovës. balshajt shtrin sundimin e tyre deri në Vlorë.

Zotërimi i Balshajve në Vlorë u bë nyja e një aleance të sundimtarëve shqiptarë të viseve të Vlorës, të Beratit, të Përmetit, të Ohrit e të Korçës në luftë me princërit e fundit sllavë, trashëgimtarë të Perandorisë së dikurshme të Dushanit, në radhë të parë me mbretin Vukashin, sundimtar i viseve të Kosovës e të Maqedonisë deri poshtë në Kostur. Pas vrasjes së këtij të fundit, koalicioni i krerëve shqiptarë, të drejtuar nga Balsha II dhe nga Andre Muzaka, i mori Mark Krajleviçit, të birit të Vukashinit, qytetin e Kosturit (1372). Një përpjekje e Mark Krajleviçit, më 1375, për ta rimarrë qytetin dështoi. Kosturi mbeti edhe për disa vjet të tjerë nën qeverisjen e vëllezërve Stojë e Teodor Muzaka, djem të despot Andresë dhe kunetër të Balshës II. Tashmë jo vetëm Muzakajt, por edhe familje të tjera fisnike të trevave të Shqipërisë së Poshtme kishin hyrë nën sovranitetin e Balshajve. Këta arritën, po në fillim të viteve 70, të shtrijnë sundimin e tyre deri në rrjedhën e lumit Mat, duke shkaktuar përsëri pakënaqësinë e Karl Topisë, dhe në Kosovë, prej Prizreni dhe Pejë deri në Kriva Reka (pranë Novobërdës). Në këtë mënyrë, përveç zotërimit të tyre të parë të Gentës, vëllezërit Balsha kishin bashkuar atë kohë, nën sundimin e tyre, viset e Lezhës, Matit, Kosovës, Dibrës, Ohrit e Kosturit. Autoriteti i tyre shtrihej në Vlorë dhe, nëpërmjet lidhjeve të vasalitetit apo aleancave familjare, në mbarë Shqipërinë e Poshtme. Ndikimi i tyre shtrihej te Zenebishtët e Gjirokastrës apo te Shpatajt e Çamërisë e të Artës. Në këtë mënyrë, vëllezërit Balsha për herë të parë kishin bashkuar në një zotërim të vetëm pjesën më të madhe të trojeve shqiptare.

Në vitin 1385, pas një depërtimi të ushtrisë osmane në krye me Hajredin Pashën, territori i Kosovës, në pjesën më të madhe, ra në dorë të princërve sllavë, vasalë të sulltanit. Për rrjedhojë, princi shqiptar u afrua me Republikën fqinje të Raguzës, që i rikonfirmoi qytetarinë raguzane, dhe me princ Llazarin e Rashës. Vajza e këtij të fundit u bë gruaja e Gjergjit. Në betejën e Fushë-Dardanisë, më 1389, Gjergji II Balsha mori pjesë krahas krerëve të tjerë shqiptarë e ballkanas.



Dukagjinët, Spanët dhe Kastriotët
Ndërsa shteti i Balshajve rrudhej, dinastia e Dukagjinëve shtiu në dorë, rreth vitit 1387, qytetin e Prizrenit. Dukagjinët kanë zotëruar për një periudhë kohe, ndonëse me ndërprerje, rrugën që kalonte nga Deja, përpjetë rrjedhjes së Drinit për në Rrafshin e Dukagjinit e më tutje. Ata kanë zotëruar edhe Pejën.

Ndërkaç emri familjar Spani shfaqet për herë të parë në vitin 1322 te një shkodran. Në radhët e Spanëve kishte pronarë tokash, tregtarë, klerikë etj. Mbiemrin e tyre e mbanin edhe një varg familjesh të thjeshta. Si veçori e përbashkët e familjeve Spani, krahas mbiemrit, ishte se thuajse që të gjitha ato banonin në krahinat pranë Rrugës së Gentës. Spanët kanë jetuar në qytetet dhe në krahinat e Shkodrës, Drishtit, Pultit, Pejës, Trepçës etj. Një trevë në veri të lumit Drin del në dokumentet e fundit të shek. XV me emrin e përfaqësuesit më në zë të kësaj familjeje, Pjetër Spanit (nahija e Pjetër Spanit), i cili ka qenë pjesëmarrës në Kuvendin e Lezhës.

Kastriotët ishin familje fisnike dhe dinastia drejtuese më e rëndësishme e jetës politike dhe ushtarake të Shqipërisë në shek. XV. Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit të shek. XIV në krye të zotërimeve të Kastriotëve ka dalë Gjon Kastrioti. Në këtë periudhë zotërimet e tij janë zgjeruar, sidomos në drejtim të lindjes, në rajonet e Prizrenit, të Gostivarit e të Tetovës. Zgjerimi e fuqizimi i shtetit të Gjon Kastriotit përkoi me rënien e dy shteteve kufitare me të, të Balshajve e të Topiajve.

Pjesën lindore (kosovare) të shtetit të vet Gjon Kastrioti e zotëronte si funksionar i administratës osmane, sepse vetë ai deklaronte në vitin 1411 se kishte në gatishmëri të përhershme një ushtri të përbërë nga "dy mijë kalorës shqiptarë dhe treqind kalorës turq" dhe kohë pas kohe është shprehur se sulltani ishte kryezot i tij. Për të garantuar sigurinë e lëvizjes së njerëzve dhe të karvaneve të mallrave nëpër rrugët tregtare, Gjoni vendosi roje nëpër to si dhe nëpër kështjellat që shërbenin për mbrojtjen e tyre, si në ato të Prizrenit, të Gurit të Bardhë, të Stelushit etj. dhe rriti shërbimet për mirëmbajtjen e rrugëve



Fillimi i pushtimit osman në Kosovë
Sulmet e ushtrive osmane për pushtimin e viseve shqiptare nisën në mesin e viteve 80 të shek. XIV. Të udhëhequra nga bejlerbeu i Rumelisë, Timurtash Pasha, në vitin 1385 ushtritë osmane, u futën në Shqipëri dhe pushtuan qytetet e Shtipit, të Përlepit, të Manastirit dhe të Kosturit. Në dokumente perëndimore dhe osmane të shek. XIV-XV për qytetet e Shkupit, të Manastirit, të Kosturit, të Janinës etj., si dhe për Fushë-Dardaninë shprehimisht është shënuar se ato ishin "në Shqipëri" apo "në tokat shqiptare". Në vitin 1386 osmanët pushtuan Nishin.

Knjazi serb i Rashës, Llazari Hrebelanoviçi mori nismën dhe ftoi sundimtarët e tjerë ballkanas që të bashkonin forcat e tyre për të ndalur marshimin osman. Thirrjes së tij iu përgjigjën disa prej sundimtarëve shqiptarë, si Gjergji II Balsha, sundimtar i Shkodrës, Teodor II Muzaka, zot i Beratit dhe i Myzeqesë, Dhimitër Jonima, zot i trevave përgjatë rrugës tregtare Lezhë-Prizren, Andrea Gropa, zot i Ohrit dhe i rajoneve rreth tij, sundimtarë të Shqipërisë së Poshtme etj. Me ta u bashkuan edhe sundimtarë të tjerë ballkanas si dhe sundimtari i Kosovës Vuk Mlladenoviqi, që zakonisht njihet me mbiemrin Brankoviçi (Vuk Brankoviçi). Zotërimet familjare i kishte në pjesën veriore të Drenicës dhe të Fushë-Dardanisë. Trupat shqiptare kishin një peshë të rëndësishme në forcat e koalicionit ballkanik. Kronikat osmane, që përshkruajnë këtë ngjarje, theksojnë numrin e madh të ushtrisë së Gjergjit II Balsha dhe e cilësojnë atë si njërin prej tre sundimtarëve kryesorë të koalicionit antiosman, krahas knjazit Lazar dhe vojvodës Vllatko Vukoviqit, komandant i ushtrisë së mbretit Tvërtko I të Bosnjës.

Në qershor të vitit 1389 ushtritë e koalicionit ballkanik u bashkuan në Fushë-Dardani (Fushë-Kosovë). Në çastin e fillimit të betejës, V. Brankoviçi i largoi trupat e veta nga koalicioni. Më 15 qershor ballkanasit zhvilluan një betejë të përgjakshme me focat osmane të komanduara nga sulltan Murati I. Pas disa sukseseve të para të ushtrive të koalicionit, fitorja në këtë betejë anoi përfundimisht nga osmanët, por me humbje njerëzore të mëdha nga të dyja palët. Gjatë zhvillimit të betejës vritet sulltan Muratin I. Beteja e Fushë-Dardanisë la mbresa të fuqishme te shqiptarët e Kosovës, të cilët i përjetësuan ato në këngë popullore.

Disfata e koalicionit ballkanik në betejën e Fushë-Dardanisë të vitit 1389 pati rrjedhime të rënda për popujt e Gadishullit të Ballkanit. Pushtuesit osmanë e kthyen në vasal të tyre sundimtarin e Kosovës, Vukë Brankoviçin, të cilin, në fillim të vitit 1392, e detyruan t'u dorëzonte Shkupin, e më pas Zveçanin (kështjellë pranë Mitrovicës) etj. Me marrjen e Shkupit, osmanët përforcuan pushtetin e tyre në pjesën lindore të Shqipërisë Qendrore (Maqedonia e sotme), veçanërisht nëpër rajonet fushore të lumit Vardar, që ishin nga më të begatat e Ballkanit. Pozicioni gjeografik shumë i favorshëm i Shkupit, ku kryqëzoheshin rrugët më të shkurtra që lidhnin kryeqytetin e Perandorisë Osmane me të gjitha tokat shqiptare dhe me rajonet e tjera të Ballkanit, nxitën sulltanët osmanë që ta bënin atë bazë ushtarake shumë të fuqishme, duke e shpallur Pashasanxhak, d.m.th. vend-rezidencë e bejlerbeut të Rumelisë.



Fillet e përhapjes së Islamit
Në kushtet e mungesës së një kishe kombëtare shqiptare, që do të ndikonte shumë në ruajtjen e unitetit fetar te shqiptarët, një pjesë e konsiderueshme e fisnikërisë dhe e shtresave të tjera, që jetonin në Shkup, Manastir dhe në qytete të tjera të Kosovës, filluan të përqafonin masivisht Islamin. Që në fund të viteve 60 të shek. XV mbi 60% e banorëve të Shkupit e të Manastirit ishin myslimanë. Kurse te sllavët, që kishin kishën e tyre kombëtare, nuk u përhap procesi i islamizimit. Në regjistrat kadastralë osmanë të shek. XV thuajse asnjë spahi nuk ka të shënuar cilësimin se është shka apo sllav, ndryshe nga shumë të tjerë që mbajnë mbiemrin Shqiptari (Arnauti).

Konvertimi në Islam i shqiptarëve i shkëputi shumë prej tyre nga ndikimi i kishave ortodokse sllave e greke (që liturgjinë e mbanin në gjuhën sllave dhe greke), duke ndërprerë kështu vrullin e procesit shekullor të sllavizimit e të greqizimit të shqiptarëve. Gjithashtu islamizimi u dha mundësi shqiptarëve që të integroheshin në jetën e Perandorisë Osmane dhe të ruanin, deri në një farë mase, pozitat e tyre ekonomike e politike.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
Historia e Kosoves
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
www.forumikosovar1.albanianforum.net :: Bisedime Dhe Tema Të Ndryshme :: Rinia Shqiptare-
Kërce tek: